1 MLN euro për një apartament në Tiranë: Çmimet në qiell, por blerësit po "zhduken"

1 MLN euro për një apartament në…

Tregu i pasurive të paluajtshme në kryeqytet ka prekur nivele të jashtëzakonshme, ku në kullat rezidenciale çmimet e apartamenteve tashmë po shiten me vlerë mbi 6 mijë euro për metër katror. Agjencitë imobiliare kanë publikuar së fundmi njoftime online ku një apartament me sipërfaqe 154 metër katror po ofrohet për shitje për plot 950 mijë euro, çka përkthehet në rreth 6,200 euro për metër katror. Agjentët e kontaktuar pohojnë se në këtë objekt ka ende disa njësi të fundit të mbetura në dispozicion, të cilat janë të mobiluara dhe nuk janë banuar më parë.

Ky shtrenjtim galopant, krejtësisht i shkëputur nga ritmi i rritjes së të ardhurave të qytetarëve, ka rikthyer me forcë debatin nëse tregu po mbivlerësohet rrezikshëm dhe nëse po shkohet drejt krijimit të një flluske imobiliare.

Hendeku mes çmimeve të çmendura të banesave dhe portofolit të shqiptarëve mbetet i frikshëm, ndonëse pagat kanë pësuar rritje. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në tremujorin e parë të këtij viti, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar arriti në 90,119 lekë, duke shënuar një rritje prej 9.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rritje kjo e ndikuar edhe nga suksesi i pagës minimale që nga 1 janari kapi vlerën e 50 mijë lekëve.

Megjithatë, përballë kësaj rritjeje modeste të të ardhurave, kërkesa për të blerë pasuri të paluajtshme ka pësuar rënie krahasuar me një vit më parë. Ekspertët e tregut, shpjegojnë se një ndër faktorët kryesorë të këtij ngadalësimi janë goditjet e njëpasnjëshme të SPAK ndaj një sërë grupesh kriminale, gjë që ka frenuar investimet e dyshimta në këtë sektor dhe ka sjellë një tërheqje të dukshme të një pjese të blerësve.

Edhe pse kërkesa po bie, pronarët dhe ndërtuesit ende refuzojnë të ulin çmimet, duke e përkeqësuar drastikisht mundësinë e familjeve për të siguruar një kulm mbi kokë. Një tjetër ekspert, vëren se përballueshmëria e blerjes së një apartamenti në Shqipëri është shumë më e ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian, pasi raporti mes çmimit të pronave dhe të ardhurave është tejet i pafavorshëm. Ndërsa në BE një çifti i duhen mesatarisht 10 deri në 12 vite për të blerë një banesë, në Shqipëri ky proces kërkon nga 15 deri në 19 vite, ku peshë të madhe negative mbajnë edhe kostot e larta të kredive hipotekore që mbeten të papërballueshme për buxhetet familjare.

Sinjalet e para të një ftohjeje graduale po jepen edhe nga institucionet financiare. Indeksi më i fundit i besimit të Bankës së Shqipërisë tregoi se treguesi i besimit në ndërtim u ul me 0.8 pikë përqindje në qershor, i ndikuar direkt nga rënia e kontratave porositëse, ndërsa pritshmëritë për çmimet në të ardhmen vlerësohen me rënie. Po ashtu, sipas indeksit Fischer të përllogaritur nga Banka e Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar u rrit me 28% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por ky ritëm rritjeje u ngadalësua ndjeshëm në krahasim me shifrën prej 41.7% që u regjistrua në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, çka dëshmon se tregu po shkon drejt një ftohjeje të pashmangshme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit