1 muaj kohë për të hequr makinat e braktisura nga parkimet në lagjet e Tiranës

1 muaj kohë për të hequr makinat…

Policia Rrugore dhe ajo Bashkiake në Tiranë kanë nisur një aksion për largimin e automjeteve të vjetra, të braktisura  dhe të parkuara prej kohësh në rrugët e kryeqytetit.

Sipas planit mësohet se fillimisht qytetarëve do tu kërkohet që t’i largojnë në mënyrë vullnetare makinat nga rruga, duke i njoftuar me anë të një letre të ngjitur në mjet. Afati për largimin e makinës nga rruga do të jetë një muaj, dhe nëse automjetet nuk janë larguar Policia më pas do të bëjë konfiskimin e tyre, duke i bllokuar për 3 muaj në një pikë grumbullimi.

Nëse pronarët nuk do të paraqiten gjatë kësaj periudhe, automjetet do të dalin në ankand për shitje, ose në rast se janë të dëmtuara do të dërgohen për skrap. Penaliteti tjetër ndaj pronarëve të këtyre automjeteve është se nëse makina e tyre nuk e mbulon koston e qëndrimit për tre muaj në pikën e grumbullimit, qytetarët do te jenë te detyruar që ta japin nga xhepi shumën.

Pika e grumbullimit është caktuar në Farkë, ndërsa të ardhurat që do të nxirren nga shitja e makinave do t’i kalojnë Bashkisë Tiranë. Automjete të vjetra ka thuajse në të gjitha lagjet e kryeqytetit, dhe shpesh bëhen pengesë në rast emergjencash kur nevojitet ndërhyrja e zjarrfikësve, policisë, apo ambulancave. Shpesh këto makina pengojnë vendet e parkimit dhe për banorët e tjerë të lagjeve.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit