10 programe studimi nuk u hapën në fillim të këtij viti akademik në universitetet e vendit tonë.
Universitetet publike më të prekura janë kryesisht në Korçë, Durrës e Gjirokastër, teksa programet që nuk janë hapur janë kryesisht në gjuhë të huaja. Por edhe shkencat sociale dhe programet dy-vjeçare kanë pasur një numër në ulje të regjistrimeve.
Janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në krijimin e kësaj situate, një ndër to oferta e ulët në tregun e punës, ku të gjesh një punë në profesion pas përfundimit të studimeve ndonjëherë është e vështirë. Përveç kësaj, edhe pagesat që ofrohen për këto pozicione punë duket se kanë bërë të rinjtë të stepen nga këto programe studimi.
Një arsye tjetër pse ka më pak të rinj në universitetet e vendit është dhe rritja e numrit të maturantëve që e mbyllin ciklin e mesëm të studimeve me një mesatare nën 6.5. Shumica e tyre nuk preferojnë të ndjekin studimet e larta.
Ndër degët më të preferuara të të rinjve vijojnë të mbeten inxhinjeria, mjekësia, infermieria dhe degët teknologjike, kjo pasi në përfundim të studimeve të rinjtë e kanë më të lehtë të gjejnë një vend pune.