Shio video këtu!
Një rrjet i madh shqiptarësh të fokusuar në prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike është goditur nga Polica në Britaninë e Madhe.
Sipas “Daily Mail” shqiptarët kishin një aktivitet miliona paund në Britani. Ata kishin zgjedhur një mënyrë të veçantë për të vjedhur energjinë elektrike, me të cilën furnizonin shtëpitë e tyre të barit.
Një pjesë e grupit kishin kamufluar disa furgonë me logot e elektriçistëve, dhe duke veshur xhaketa pune “Wellesley Road” në Middelsbrough, gërmonin linjat elektrike nëpër rrugët e vendit.
Në momentin që nxirrnin telat përcjellës, ata bënin lidhjet e jashtëligjshme për të vjedhur energji elektrike. Pavarësisht se në pamje dukeshin profesionistë, disa incidente raportohet t’u kenë ndodhur atyre gjatë procesit.
Në një rast, telat përcjellës shpërthyen në flakë, dhe “punëtorët” e kamufluar mblodhën veglat duke u larguar me shpejtësi bashkë me furgonin. Kjo gjë habiti banorët të cilët vështruan se si anëtarët e grupit e lanë trotuarin dhe telat e dëmtuar.
Pas një sërë hetimesh, në fillim të muajit mars policia vërtetoi se skuadrat e elektriçistëve në të vërtetë ishin kriminelë që vidhnin energji elektrike.
“Kriminelët shqiptarë, që mbajnë një kontroll të hekurt mbi tregtinë e drogës në Britani, përdornin teknikën e “hidroponikës” për rritjen e bimëve në ambiente të mbyllura, duke përdorur shpesh punëtorë të trafikuar për të punuar nën kushte të tmerrshme në këto ferma droge”, shkruajnë mediat e huaja.
Hetimet zbuluan 100 shtëpi bari në 32 zona të ndryshme, të cilat përdornin të njëjtën teknikë për vjedhjen e energjisë elektrike. Operacioni është ende në vijim pasi kokat e grupit nuk janë ndaluar ende. Ata raportohet se e menaxhonin aktivitetin nga jashtë vendit, kryesisht nga Dubai.