
Një valë e të nxehtit po shkakton humbje në njerëz, e shkaktuar nga anticikloni afrikan. Në Itali, 18 qytete nga veriu në jug janë sot në alarm të kuq për temperatura të larta, dhe nesër, të premten më 4 korrik, ky numër do të përfshijë edhe dy qytete të tjera duke e çuar numrin në 20.
Shërbimet e urgjencës po raportojnë një rritje prej 20% të vizitave në spitale nga temperaturat e larta. Ndërkohë në Spanjë, Sistemi i Monitorimit të Vdekshmërisë së Përditshme (MoMo) ka konfirmuar që nga e shtuna kanë ndërruar jetë të paktën 102 persona për shkak të valës së të nxehtit. Në vendin iberik vazhdon alarmi për temperatura ekstreme në 12 nga 17 rajonet e tij, me paralajmërime edhe për stuhi të forta lokale.
Që nga fillimi i vitit, MoMo ka regjistruar gjithsej 380 vdekje në Spanjë të atribuara temperaturave të larta.
Kjo valë e të nxehtit ka përfshirë të gjithë Evropën Perëndimore, duke shkaktuar temperatura rekord, Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Portugalia kanë lëshuar alarme të kuqe, me temperatura që arrijnë deri në 40–46 °C në disa zona.