119 kg kokainë në Vaqarr| Dështon dhurata e “babagjyshit”

119 kg kokainë në Vaqarr| Dështon dhurata…

Do të ishte dhurata më e bukur për fundvit nëse Policia nuk do të pikaste kontenierin me banane të nisura nga Amerika Latine. 119 kg kokainë janë zbuluar në zonën e Vaqarrit në Tiranë, të fshehura mes bananeve. Sasia e kokainës ishte nisur drejt magazinave të kompanisë Zico Sh A e cila njihet për eksportin e bananeve me emrin BanaKing.

Droga ishte zhdoganuar në portin e Durrësit ku edhe pas kontrollit me skaner, sipas policisë, doli i pastër. Mësohet se me ndihmën e dy shoferëve të kamionëve Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu vijoi itinerarin i qetë.

Policia njoftoi se kur kontenieri ishte në Romanat, 3 persona ende të pa identifikuar i kanë prerë rrugën kamionit dhe kanë ushtruar për disa minuta kontroll në kontenier. Pa arritur të marrin gjë nga kontenieri ata janë larguar në drejtim të paditur. Policia thotë se për ngjarjen u njoftua nga vetë administratorët e firmës dhe pas mbërritjes në vendin e ngjarjes dhe kontrollit fizik të ngarkesës së bananeve, gjeti e sekuestroi 119 kg kokainë.

Pas hetimeve të thelluara policia zbuloi se kontenieri i ardhur nga Amerika Latine gjatë tranzitit të ushtruar në portin Gioia Tauro në Itali ishte hapur dhe nuk ishte vulosur me plumbçe. Autoritetet italiane konstatuan se në brendësi të kontenierit mungonin rreth 20 arka me banane, ky dyshohet se ishte fshehur gjithashtu një sasi droge. Këtë konstatim autoritetet italiane e kanë pasqyruar në një procesverbal, i cili e shoqëroi ngarkesën edhe në Durrës ku dhe u skanua dhe droga nuk u gjet.

Në këtë pikë të hetimeve policia ka arrestuar administratorin që kishte porositur bananet Marson Murataj, djalin e pronarit të Zico Sha Trifon Murataj si edhe 2 shoferët e kamionit Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu. Vetë kompania ka reaguar zyrtarisht duke thënë se nuk kanë asnjë lidhje me ngarkesën, pasi ata më herët kanë bërë denoncim në Polici për dyshime për grabitje.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit