12 kg kanabis në formë xhelatine vjen nga Anglia, Flavio i ikën Policisë

12 kg kanabis në formë xhelatine vjen…

Një sasi prej më shumë se 12 kilogramësh kanabis në formë xhelatine, me përqendrim të lartë THC dhe vlerë që përllogaritet rreth 30 mijë euro, është sekuestruar nga Antidroga e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Risia”. Nga hetimet paraprake dyshohet se droga ishte nisur me postë nga Mbretëria e Bashkuar dhe kishte si destinacion qytetin e Elbasanit.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se lënda narkotike ishte transportuar në dy valixhe dhe ishte ndarë në rreth 500 paketime. Pjesa më e madhe përmbante doza të vogla, ndërsa në disa prej pakove u gjetën sasi që varionin nga 400 deri në 500 gramë.

Porositë me postë dhe lëvizjet e personave që dyshohet se ishin përfshirë në transportin e drogës u vunë në vëzhgim nga Antidroga, e cila organizoi ndërhyrjen për kapjen e tyre. Në momentin kur efektivët i janë afruar në zonën e Saukut, Flavio Islamaj dyshohet se ka kuptuar se ishte pikasur dhe ka shtuar shpejtësinë për t’u larguar.

Përpjekja për t’i shpëtuar policisë ka vijuar deri pranë Digës së Liqenit Artificial. Aty, Islamaj ka lënë automjetin dhe është larguar me vrap, duke u shpëtuar efektivëve. Por në zonë ndodhej edhe një automjet tjetër, drejtuesi i të cilit dyshohet se po ndiqte dhe mbikëqyrte lëvizjet e tij. Në këtë makinë policia arrestoi Mariglen Vatën, ndërsa Islamaj u shpall në kërkim.

Të dy të rinjtë, 22 vjeç, nuk janë emra të panjohur për uniformat blu. Ata rezultojnë me precedentë të mëparshëm për vepra penale në fushën e narkotikëve. Sipas burimeve, dyshohet se kanë pasur lidhje me njëri-tjetrin edhe gjatë qëndrimit në Angli, ku mund të jenë përfshirë në aktivitetin e trafikut të drogës. Hetuesit dyshojnë se këtë veprimtari e kanë vijuar edhe pas kthimit në Shqipëri.

Për Flavio Islamajn, episodi i fundit nuk është hera e parë që emri i tij lidhet me një operacion policor të dështuar për kapjen e tij. Edhe në vitin 2025, ai ishte shpallur në kërkim pasi dyshohej se i kishte shpëtuar një ndërhyrjeje të policisë, e cila kishte organizuar kapjen e tij në momentin e tërheqjes së një pakoje me drogë të porositur përmes postës. Pavarësisht shpalljes në kërkim në atë kohë, mbetet ende e paqartë se si ai kishte arritur t’i shmangej përballjes me drejtësinë.

Ndërkohë, edhe Mariglen Vata ka një histori të mëparshme me policinë. Ai është arrestuar në vitin 2022 për vepra penale të lidhura me narkotikët.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit