
Një tjetër emër i njohur i botës së krimit pritet të ekstradohet në Shqipëri gjatë pasdites së kësaj të premte.
Bëhet fjalë për Florenc Çapjan, i cilësuar si kreu i një organizate kriminale që vepron prej afro dy dekadash në Elbasan. Ai pritet të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, nga Dubai. Florenca Çapja është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme për vrasjen e babë e bir Nezir dhe Gentian Beqiri, krim i ndodhur në vitin 2012 në Elbasan, gjithashtu akuzohet për sigurimin e kushteve për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit.
Vetëm disa muaj më parë Florencit iu sekuestrua një shumë prej 10 milion euro në kriptovaluta dhe disa prona në vendin tonë.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet:
“Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, si në aspektin hetimor, ashtu edhe operacional, dhe si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit mes strukturave të specializuara për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, pasditen e sotme do të finalizohet me sukses një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar ‘The Ëanted’. Në kuadër të këtij operacioni pritet të ekstradohet nga Dubai shtetasi F. Ç., 44 vjeç, banues në Elbasan.”
Policia bën me dije se për arsye sigurie, dinamika e plotë e operacionit mbahet konfidenciale dhe një njoftim i detajuar do të jepet sapo ekstradimi të finalizohet në aeroportin e Rinasit.