“Ishujt e Ksamilit nuk janë kosh mbeturinash, po turpërohemi para turistëve”

“Ishujt e Ksamilit nuk janë kosh mbeturinash,…

Një qytetar ka denoncuar përmes redaksisë tonë gjendjen e një prej ishujve të Ksamilit, duke ngritur shqetësimin për mungesën e pastrimit dhe praninë e mbeturinave, në një nga zonat më të frekuentuara nga turistët gjatë sezonit veror.

Sipas tij, pastrimi po bëhet në mënyrë të vazhdueshme nga vetë banorët dhe persona të tjerë që kujdesen për zonën. Ai thotë se, për shkak se nuk kanë mundësi të merren çdo ditë me pastrimin, janë detyruar edhe të paguajnë persona për të mbledhur mbeturinat.

Ne i mbledhim përditë, paguajmë edhe njerëz që t’i pastrojnë, sepse nuk kemi kohë çdo ditë. Ne nuk kërkojmë asgjë të pamundur. Kërkojmë që Bashkia të marrë masa dhe të lërë një punëtor aty, që të merret me pastrimin dhe mirëmbajtjen e ishullit”, shprehet qytetari.

Ai thekson se situata bëhet edhe më problematike gjatë sezonit turistik, kur ishujt e Ksamilit vizitohen çdo ditë nga një numër i madh turistësh.

Na vjen turp t’i çojmë turistët në ishull në këtë gjendje”, shprehet qytetari, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse një zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme.

Kërkesa e qytetarit është që të ketë pastrim të rregullt dhe një punonjës të dedikuar për mirëmbajtjen e ishullit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Ishujt e Ksamilit janë një nga asetet më të rëndësishme turistike të Shqipërisë. Ruajtja e pastërtisë dhe mirëmbajtja e tyre është thelbësore për banorët, vizitorët dhe imazhin turistik të vendit.

Denoncimi i qytetarit:

TURP PËR NJË ISHULL TURISTIK!

Ishulli është plot me turistë dhe njerëz çdo ditë, por mbeturinat janë kudo dhe askush nga shteti nuk merret seriozisht me pastrimin e tij. Ne, banorët dhe njerëzit që e duam këtë vend, jemi detyruar të pastrojmë vetë mbeturinat, sepse institucionet që duhet të kujdesen për pastërtinë dhe mirëmbajtjen e zonës mungojnë. Si mund të presim turistë dhe të promovojmë Shqipërinë, kur një vend kaq i bukur lihet të mbushet me plehra? Turistët vijnë, shpenzojnë paratë e tyre dhe meritojnë një ambient të pastër, ndërsa ne merremi vetë me pastrimin. Ky nuk është detyrim i qytetarëve. Është përgjegjësi e institucioneve! Kërkojmë që të merren masa konkrete dhe të ketë pastrim të rregullt të ishullit. Nuk mund të vazhdojmë ta pastrojmë vetë një vend që duhet të mirëmbahet nga shteti. Ishulli nuk është kosh plehrash. Është një pasuri turistike dhe duhet respektuar!

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit