Detaje tronditëse janë zbardhur lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë, e cila, vetëm tri ditë para se të gjendej e vrarë, u kishte dërguar një letër institucioneve përgjegjëse, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Në letrën drejtuar prokurores në Pejë, Arlinda kishte kërkuar marrjen urgjente të masave ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave për mbrojtjen e saj. Ajo kërkonte gjithashtu zbatimin e menjëhershëm të një urdhri gjyqësor dhe nisjen e hetimeve ndaj personave përgjegjës, duke përfshirë edhe zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale.

“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësinë të njëri-tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë”, shkruante ajo në letër.

Fjalët e saj të fundit drejtuar institucioneve janë edhe më rrëqethëse. Arlinda shprehte frikën se autoritetet mund të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi ajo të mos ishte më gjallë, duke e cilësuar reagimin e tyre si shpresën e saj të fundit.

“Kjo është shpresa ime e fundit. Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri. E dhimbshme deri në asht”, përfundonte letra.

Por, pavarësisht paralajmërimit, tragjedia ndodhi. Mësohet se ditën e ngjarjes, Arlinda kishte njoftuar policinë për dhunë në familje. Në lidhje me këtë rast, bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe më pas ishte ndaluar për 48 orë.

Pas kthimit të saj në banesë, rreth orës 21:10, policia u njoftua se gruaja ishte gjetur pa shenja jete. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, i cili vijon të jetë në arrati.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit