15 muaj pasi humbi apelin për deportim, 'ushtari' i Aldo Bares ende në Britaninë e Madhe!

15 muaj pasi humbi apelin për deportim,…

Maksim Çela, i konsideruar si një prej njerëzve të afërt të Aldo Bares, vijon të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar edhe 15 muaj pasi humbi atë që u cilësua si apeli i tij i fundit kundër deportimit. Sipas tabloidi britanik The Sun, 60-vjeçari ka nisur një tjetër betejë ligjore, duke penguar kthimin e tij në Shqipëri. Home Office nuk ka dhënë detaje për vonesën, ndërsa ka deklaruar se do të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për deportimin e tij.

Çela është dënuar nga drejtësia shqiptare për pjesëmarrje në organizatë kriminale, vrasjen e efektivit të policisë Klenti Bano dhe armëmbajtje pa leje. Sipas dokumenteve të gjykatave britanike, ai ka vuajtur më shumë se 23 vite burg dhe u lirua në fund të vitit 2022. Më pas u largua nga Shqipëria dhe mbërriti në Britani në janar 2023, duke përdorur një pasaportë false, ku kërkoi azil me pretendimin se rrezikohej nga hakmarrja e grupeve rivale kriminale.

Në mars 2025, gjykata e emigracionit në Londër rrëzoi pretendimet e tij, ndërsa gjyqtari Jeremy Rintoul e cilësoi atë si të pabesueshëm. Autoritetet britanike argumentuan se Çela mund të mbrohej nga institucionet shqiptare dhe të zhvendosej në një tjetër zonë të vendit. Megjithatë, sipas The Sun, 15 muaj pas vendimit ai vijon të jetë në Britani, pasi ka nisur një tjetër procedurë ligjore që po shtyn deportimin e tij.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit