15-vjeçarët theren me thika në Tiranë, dhuna si "trend" i rrjeteve sociale

15-vjeçarët theren me thika në Tiranë, dhuna…

Një adoleshent 15-vjeçar përfundoi në spital këtë të hënë pas një sherri me bashkëmoshatarin e tij në ambientet e gjimnazit “Qemal Stafa”. Ai u godit në kofshë dy herë me thikë dhe ndodhet në spital, ndërsa autori u arrestua nga policia në Vorë.

Gjimnazi “Qemal Stafa” në një reagim zyrtar sqaroi se nxënësit e konfliktuar janë të shkollës “Asim Vokshi”, të cilët zhvillojnë mësim pasdite, pasi godina po rikonstruktohet.

Nuk dihet ende shkaku i konfliktit mes tyre që degradoi në përdorimin e thikës në ambientet e gjimnazit, ndërsa i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sherret me thika dhe dhuna në ambientet e shkollës janë kthyer së fundmi si “trend” i rrjeteve sociale , ndërsa nga ana e institucioneve përgjegjëse nuk është marrë asnjëherë asnjë masë. Adoleshentët po rrezikojnë jetën e tyre nga njëri-tjetri, pikërisht në ambientet ku duhet të merrnin dije dhe të edukoheshin.

Mimistri i Brendshëm Taulant Balla trumbeton me të madhe se siguria në shkolla është rritur dhe se policët sipas tij janë në perimetrin e sigurisë. Por faktet flasin ndryshe dhe rasti i fundit në një shkollë në mes të Tiranës, ngre pikëpyetje për funksionimin e shkollave në periferi.

Këto ngjarje mes adoleshentëve, por edhe droga në shkolla janë kthyer në shqetësim për komunitetin, por deri më tani asnjë masë konkrete nuk është marrë nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Brendshme.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit