Enisi mezi po priste të niste një tjetër vit shkollor. Çantën e vjetër, librat dhe rrobat e dhuruara i kishte bërë gati, ndërsa ëndrra e tij ishte të rikthehej në shkollë dhe të vazhdonte vitin e dytë të arsimit profesional për kuzhinë. Por vetëm dy ditë para se të ulej sërish në bankat e shkollës, jeta e 16-vjeçarit mori një kthesë të papritur dhe të dhimbshme.
Një plagë në buzë dhe temperaturë e lartë alarmuan nënën, e cila e mori djalin në spital. Gjatë rrugës, gjendja e tij u përkeqësua aq shumë sa Enisi nuk kishte më fuqi të ecte dhe u mbështet mbi shpatullat e nënës. Pas analizave dhe ekzaminimeve, familja mori lajmin që askush nuk do të donte ta dëgjonte: 16-vjeçari është diagnostikuar me leucemi akute dhe ka nevojë urgjente për trajtim jashtë vendit, me transport të specializuar.
Që prej asaj dite, ëndrrat e Enisit janë zëvendësuar me luftën për jetën. Ai nuk mund të lëvizë, mbahet me oksigjen dhe nuk ka fuqi as të ushqehet. Uniforma e kuzhinierit, të cilën e donte aq shumë, ka mbetur mbi krevatin e tij, ndërsa vëllai i vogël e përqafon çdo ditë me mall.
Në shtëpi, edhe gjyshja e sëmurë pret kthimin e tij. Diabeti i ka shkaktuar asaj amputimin e gishtave, por sot shqetësimi më i madh i familjes është gjendja e rëndë e 16-vjeçarit.
Enisi ka vetëm një dëshirë: të shërohet dhe të kthehet në shtëpi, pranë vëllezërve të tij. Të ulet sërish në bankën e shkollës, të veshë uniformën e kuzhinierit, të shkojë në xhami dhe, pas mësimit, të rikthehet në punën në market, ku punonte për të ndihmuar familjen.
Babai punon në ndërtim, ndërsa nëna kujdeset për fëmijët. Familja jeton me qira dhe të ardhurat e tyre nuk janë të mjaftueshme për të përballuar trajtimin urgjent që i nevojitet djalit.
Sot, dy prindërit e Enisit, me lot në sy, i drejtohen shqiptarëve kudo që ndodhen për t’u kërkuar ndihmë. Për ta, nuk bëhet fjalë për të rikthyer thjesht një vit shkollor të humbur. Bëhet fjalë për t’i dhënë djalit të tyre mundësinë të jetojë, të shërohet dhe të rikthehet një ditë në jetën që e ndërpreu kaq papritur.