Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar një tjetër sasi të rrezikshme ushqimi për kafshë, e importuar nga Serbia, pas rasteve të shumta të misrit të kontaminuar me aflatoksinë. Ngarkesa e fundit përbëhej nga 167 kilogramë koncentrat ushqimor për zogj të rritur për mish, i cili ka rezultuar i kontaminuar me aflatoksinë B1, një nga toksinat më të rrezikshme për kafshët dhe për njeriun.
Sipas veterinerit Mirev Elezi, aflatoksina nuk shkatërrohet gjatë përpunimit të ushqimeve, duke kaluar lehtësisht në produktet që konsumojnë njerëzit. Ai paralajmëron se prania e saj mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë, kancer, nekrozë, cirrozë, dhe dëmtime të trurit.
Elezi shton se shkaku i kontaminimit lidhet me magazinimin e gabuar të produktit nga prodhuesi serb, në ambiente të lagështa, të cilat favorizojnë zhvillimin e mykut që prodhon aflatoksinën.
Ngarkesa e bllokuar ndodhet në pikën kufitare të Hanit të Hotit, ku po analizohen mostrat nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV). Vetëm pas analizave do të vendoset nëse produkti do të asgjësohet apo do të kthehet në vendin e origjinës, Serbi. Pyetja që ngrihet është: Pse vijon tregu shqiptar të importojë produkte nga Serbia, pavarësisht skandaleve të përsëritura me aflatoksinë? Autoritetet dhe bizneset duhet të përgjigjen se pse rreziku ushqimor lejohet të përsëritet, duke ekspozuar konsumatorin ndaj rreziqeve dhe duke e lene te pambrojtur.