17 milionë € tendera, ALBCONTROL-it i fiken sistemet!

17 milionë € tendera, ALBCONTROL-it i fiken…

Një defekt teknik në ALBCONTROL shkaktoi këtë të premte, rreth orës 17:30, fikjen e sistemeve të kontrollit të trafikut ajror, duke krijuar një situatë emergjente në hapësirën ajrore shqiptare.

Ngjarja ngre pikëpyetje serioze, pasi bëhet fjalë për sisteme kritike, nga funksionimi i të cilave varet siguria e avionëve dhe e pasagjerëve. Një sistem i kësaj rëndësie duhet të ketë mekanizma rezervë dhe redundancë teknike, në mënyrë që një defekt i vetëm të mos shkaktojë fikjen e tij.

Sipas të dhënave të përllogaritura nga regjistri i prokurimeve publike, nga janari 2024 deri në gusht 2026, ALBCONTROL rezulton të ketë dhënë afërsisht 42 tenderë, me një vlerë totale fituese prej rreth 1.68 miliardë lekësh pa TVSH, ose afro 17 milionë euro.

Kontratat përfshijnë sisteme të kontrollit ajror, pajisje teknologjike, mirëmbajtje, rinovim licencash, infrastrukturë IT, komunikim, radarë dhe trajnime. Megjithatë, pavarësisht miliona eurove të shpenzuara, sistemet kryesore u fikën.

Pyetja që kërkon përgjigje është e drejtpërdrejtë: Si mund të ndodhë një defekt i tillë pas dhjetëra tenderëve dhe miliona eurove të shpenzuara për teknologjinë dhe mirëmbajtjen?

ALBCONTROL duhet të bëjë publike:

  • Shkakun konkret të fikjes së sistemeve;
  • sistemin ose pajisjen ku nisi defekti;
  • nëse funksionuan sistemet rezervë;
  • kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtjen;
  • kontratën dhe shumën e paguar për këtë shërbim;
  • nëse pajisjet ishin kontrolluar dhe certifikuar;
  • personat përgjegjës për mbikëqyrjen teknike.

Përgjegjësia nuk mund të mbyllet me një deklaratë të përgjithshme për “problem teknik”. Përgjegjësi duhet të kërkohet nga drejtuesit teknikë dhe administrativë të ALBCONTROL-it, kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen, strukturat që kanë certifikuar sistemet dhe institucionet shtetërore që duhet të mbikëqyrin kompaninë.

Kur bëhet fjalë për kontrollin e hapësirës ajrore, një defekt i tillë nuk është thjesht problem teknik. Është çështje e sigurisë kombëtare dhe publiku duhet të dijë se ku kanë shkuar miliona eurot dhe kush do të mbajë përgjegjësi.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit