Një denoncim i rëndë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një nënë nga Lushnja, e cila pretendon se vajza e saj 10-vjeçare u përplas nga një automjet që drejtohej nga një 17-vjeçar pa leje drejtimi, ndërsa ngjarja, sipas saj, është trajtuar me indiferencë nga institucionet përgjegjëse.
Nëna thotë se aksidenti ka ndodhur më 2 korrik, rreth orës 09:30, pranë shkollës “Skënder Libohova”, në momentin kur fëmija po kalonte në vijat e bardha.
Sipas saj, automjeti po lëvizte me shpejtësi të lartë dhe, pas përplasjes, drejtuesi është larguar nga vendi i ngjarjes.
“Deshi Zoti ma ruajti vajzën. E mora në krahë dhe me makina të rastit e çova në spital. Në ato momente mendoja vetëm ta shpëtoja,” rrëfen nëna.
Ajo pretendon se vetëm pasi familjarët arritën të identifikonin drejtuesin e mjetit, ai u vetëdorëzua në polici.
Nëna shprehet se vajza fillimisht mori ndihmë në Spitalin e Lushnjës, por pretendon se gjendja e saj u nënvlerësua.
Sipas saj, mjeku i tha familjes se e mitura do të rikuperohej me një allçi dhe mund të dilte nga spitali brenda pak ditësh. Megjithatë, për shkak të dhimbjeve dhe temperaturës së lartë, familja kërkoi ta transportonte drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Aty, sipas nënës, pas ekzaminimeve të hollësishme rezultoi se dëmtimet ishin shumë më të rënda.
“Në Traumë na thanë se vajza kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale dhe vendosjen e dy pllakave metalike në këmbë. Nuk mund ta besoja kur mendova se në Lushnjë na thanë se për dy ditë do të dilte në shtëpi,” shprehet ajo.
Në denoncimin e saj, nëna ngre edhe akuza të rënda, duke pretenduar se ngjarja është tentuar të minimizohet dhe se ka pasur ndërhyrje për të favorizuar autorin e aksidentit.
Ajo pretendon se një person i afërt me drejtuesin e automjetit ka hyrë në ambientet e urgjencës dhe se janë ofruar para, ndërsa shton se këto dyshime duhen verifikuar nga institucionet përgjegjëse.
Gjithashtu, ajo shpreh pakënaqësi për mënyrën se si, sipas saj, është trajtuar rasti nga policia.
“Policia më tha se kishte marrë pamjet e kamerave, por më pas gjithçka u mbyll. Unë dua vetëm drejtësi. Nuk dua që nesër një fëmijë tjetër të përfundojë si vajza ime,” thotë ajo.
Sipas nënës, 10-vjeçarja vazhdon të jetë në proces rikuperimi, lëviz me karrocë dhe ka njërën këmbë të imobilizuar pas ndërhyrjes kirurgjikale. Përveç dëmtimeve fizike, ajo thotë se e bija po përballet edhe me traumën psikologjike të aksidentit.
“Dhimbjen e vajzës sime nuk e shlyen askush. Nuk është çështje parash. Unë dua që institucionet të bëjnë detyrën dhe të mos lejojnë që adoleshentë pa patentë të qarkullojnë me makina nëpër qytet.”
Nëna e 10-vjeçares thotë se e bëri publik këtë rast jo vetëm për vajzën e saj, por edhe si apel për të parandaluar ngjarje të ngjashme.
“Nesër mund t’i ndodhë një fëmije tjetër. Prandaj po flas. Dua që shteti të reagojë dhe të mos mbyllë sytë.”
JOQ Albania nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e ngritura nga qytetarja lidhur me mënyrën e trajtimit të rastit nga policia dhe personeli mjekësor. Për shkak të seriozitetit të akuzave, ftojmë Policinë e Shtetit, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Spitalin e Lushnjës dhe autoritetet kompetente të japin një reagim zyrtar dhe të sqarojnë rrethanat e këtij rasti.