Në vend që t’i mbajë dyert e mbyllura për subjektet që kanë dëmtuar interesat e rendit publik, Policia e Shtetit, tashmë e vënë nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm Skënder Hita, zgjedh të rehabilitojë të njëjtët emra të inkriminuar në tendera të dështuar. Kompania “Marsi&Al”, në pronësi të Petrit Kasapit, njeriu që dikur u çua në Prokurori për skandalin e uniformave, është shpallur fituese paraprake në dy tendera me vlerë totale rreth 1.9 milionë euro me TVSH.
Ky rikthim skandaloz i Kasapit në tryezën e prokurimeve të Policisë, në kohën e drejtimit të Skënder Hitës, hedh hije të rënda dyshimi mbi mënyrën se si menaxhohen fondet e taksapaguesve dhe se si harrohen me dashje rekordet e errëta të operatorëve ekonomikë.
Sipas dokumenteve të publikuara, kompania e Kasapit ka rrëmbyer dy lotet për pajisje policore me oferta përkatësisht 108.16 milionë dhe 49.67 milionë lekë pa TVSH, duke lënë pas konkurrentë si RO.GAT Security, MSSC Group apo D&E, ndërsa kompani të tjera janë skualifikuar me pretekste formale.
Por pyetja që shtrohet nën përgjegjësinë e drejtorit të ri, Skënder Hita, është therëse: Si është e mundur që Policia e Shtetit miraton fitoren e një kompanie që vetë Policia e Shtetit
e ka paditur penalisht?
Disa vite më parë, ishte po kjo Polici që njoftonte me bujë ndërprerjen e kontratës me “Marsi&Al” për shkak se uniformat dhe produktet rezultuan skandaloze, jashtë çdo specifikimi teknik, duke çuar përfaqësuesit e saj në prokurori për “Shpërdorim kompetencash”.
Të lejosh që i njëjti subjekt t’i rikthehet arkës së shtetit për të marrë miliona euro të tjera për pajisje policore, dëshmon se memorja e institucioneve selektohet vetëm kur bëhet fjalë për interesa klienteliste.
Nën ombrellën e drejtimit të Skënder Hitës, Policia e Shtetit po tregon se standardet e integritetit dhe llogaridhënies janë thjesht letër e vdekur. Kur kryepolici lejon që tenderët e sigurisë t’i jepen atyre që dikur tradhtuan standardet e vetë uniformës blu, besimi i qytetarëve dhe i efektivëve në terren copëtohet para çdo prokurimi të dyshimtë.
