Detaje të reja janë zbardhur nga procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku këtë herë është marrë në pyetje si dëshmitar këngëtari Rigels Rajku, i njohur si Noizy.
Ai është pyetur lidhur me shpërthimin me tritol në lokalin e tij, në qershor të vitit 2022, ndërsa gjatë dëshmisë ka treguar se në momentin e ngjarjes ishte në gjumë dhe për shpërthimin ishte njoftuar nga babai i tij.
“Isha në gjumë, shpërthimi më zgjoi. Më merr babi, më thotë ngjarjen. Unë i kam thënë nuk dua të dal se më shohin njerëzit”, ka deklaruar Noizy.
I pyetur se çfarë aktiviteti ushtrohej në objektin ku ndodhi shpërthimi, këngëtari është përgjigjur se bëhej fjalë për një biznes shitjeje rrobash, me qëllim përfitimin financiar.
Gjatë dëshmisë, Noizy ka pretenduar se e kishte mësuar identitetin e personit që qëndronte pas vendosjes së eksplozivit nga vetë Kleviol Ahmeti, i cili, sipas tij, e kishte pranuar publikisht në rrjetet sociale se veprimin e kishte kryer me porosi të Laert Haxhiut.
Këngëtari ka rrëfyer gjithashtu se një ditë para shpërthimit kishte pasur një konflikt fizik me Kleviol Ahmetin, i cili, sipas tij, kishte shkuar në lokal së bashku me rreth 20 persona për t’u sqaruar.
“Një ditë më parë patëm një përleshje me Kleviol Ahmetin. Më erdhi në lokal me 20 veta për t’u sqaruar. Ofendon stafin dhe mua. Nisi përleshja fizike, atë natë shpërthen dinamiti”, ka dëshmuar ai.
Noizy ka treguar edhe për një tjetër episod, duke pretenduar se rreth dy muaj më vonë ishte vendosur eksploziv në një kuti picash, por fitili nuk ishte ndezur dhe ishte konstatuar nga policia.
I pyetur drejtpërdrejt nga prokurori nëse e njihte Laert Haxhiun, këngëtari u përgjigj se nuk kishte pasur njohje me të përpara ngjarjes. Ai shtoi se përfshirjen e tij e kishte mësuar pas deklaratave publike të Kleviol Ahmetit.
Gjatë pyetjeve, Noizy foli edhe për djegien e automjetit të tij, për të cilën tha se personi që e kishte kryer veprimin kishte pranuar se ishte paguar 600 euro.
Ndërsa kur gjykata e pyeti se ku i kishte marrë informacionet për Kleviol Ahmetin dhe cili ishte motivi i konfliktit, këngëtari deklaroi se gjithçka ishte bërë publike nga vetë Ahmeti brenda 24 orëve.
Sipas dëshmisë së tij, përplasjet kishin nisur prej vitesh, ndërsa motivin e lidhi me fyerjet e vazhdueshme dhe përpjekjet për të tërhequr vëmendje përmes emrit të tij.
Në fund të seancës, gjatë përballjes me pyetjet e avokatit, Noizy deklaroi se personat që e shajnë përfitojnë vëmendje dhe famë nga kjo situatë, përpara se të drejtonte një pyetje lidhur me nevojën për t’u paraqitur sërish në gjykatë:
“A është nevoja të vij më të dëshmoj?”