Një 20-vjeçar, Nikola Jaso, është arrestuar si i dyshuari për zjarrin masiv që përfshiu fshatin Drizë dhe disa zona përreth në qarkun e Fierit. Sipas hetimeve, i riu kishte ndezur zjarr në tokën në pronësi të babait të tij për të djegur barishte, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi, të favorizuara edhe nga temperaturat e larta dhe era.
Vatra e zjarrit nisi pranë zonës së njohur si “Azotiku” dhe më pas u përhap drejt Qafës së Koshovicës, duke përfshirë sipërfaqe të pyllëzuara dhe toka me shkurre e ullishte pranë fshatrave Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë Myrtezaj dhe Plyg. Nga përhapja e flakëve u dogjën rreth 100–110 hektarë sipërfaqe, ndërsa 12 familje u detyruan të evakuohen për shkak të rrezikut që zjarri paraqiste për banesat e tyre.
Për vënien nën kontroll të situatës u angazhuan forca zjarrfikëse nga Fieri, Roskoveci, Patosi dhe Albpetroli, si edhe dy helikopterë ujëhedhës, të cilët ndërhynë nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve. Pas hetimeve të kryera, ndaj Nikola Jasos janë ndërmarrë procedurat ligjore, ndërsa vijojnë verifikimet për dokumentimin e plotë të rrethanave që çuan në zjarrin me pasoja të mëdha mjedisore.