
Në sytë e bashkisë, Tirana, si kryeqyteti europian, është qyteti më i mirë për të jetuar.
Por realiteti është shumë ndryshe për qytetarët e thjeshtë, dhe shumë i vështirë për ata që jetojnë në zonat rurale.
Në redaksinë tonë, ka mbërritur një denoncim nga banorët e fshatit Darshen, Qendra Administrative Dajt, e cila ndodhet rreth 22 kilometra nga qendra e Tiranës.
Banorët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë mbledhur për të pastruar dhe shtruar vetë rrugët. Ata janë lënë në harresë totale nga pushteti vendor gjatë gjithë këtyre 33 viteve demokraci. E vetmja periudhë, kur drejtuesit, apo patronazhistët kujtohen që ka jetë edhe përtej qendrës, është periudha e votimeve. Atëhere shkojnë vetëm për të dhënë 50 mijë lekë të vjetra apo një thes me miell në këmbim të votave, dhe më pas zhduken si me magji.
Kërkesa e banorëve të kësaj zone është mjaft minimale. Nuk kërkojnë asfalt, por thjesht dhe vetëm një kamion me zhavor dhe një punëtor për mirëmbajtjen e rrugës. Kaq. Është kërkesa më minimale e mundshme, nga taksapaguesit e Bashkisë së Tiranës. Pritet të shihet, nëse do vijë dita që bashkia të “zgjohet” dhe lali Eri të kujtohet që këta banorë, duan të jetojnë si gjithë të tjerët, me kushte minimale, të kenë një rrugë normale, që të mos kenë nevojë të kapërcejnë pellgjet e ujit që janë krijuar.
“Pershendetje tv atdheu.. Ndodhemi 22 km larg qendres se Tiranes ne fshatin Darshen Qendres Administrative Dajt.
Ne si banore kemi 3 dite qe jemi mbledhur bashke per te pastruar rrugen pasi shteti ka 30 vjet qe nuk duket ketej.Nuk po kerkojm rruge me asfalt por thjeshte te na sjellin ndonje kamion me zhavor edhe nje puntore per mirembajten e rruges”, thuhet në denoncim.