24-vjeçarja rrëfen njohjen me trafikantin në ‘Facebook’: Më përdhunoi dhe shiti për prostitucion

24-vjeçarja rrëfen njohjen me trafikantin në ‘Facebook’:…

Një viktimë e trafikimit seksual ka folur për kalvarin e saj të tmerrshëm, duke paralajmëruar vajzat në nevojë, pasi tregoi se si një trafikant përdori Facebook-un për ta joshur atë kur ishte vetëm 15 vjeç.

24-vjeçarja, e cila kërkoi të mbetet anonime dhe ishte shumë e frikësuar për të treguar edhe fytyrën e saj, rrëfeu makthin e saj të tmerrshëm në një intervistë për mediat amerikane. Ajo përshkroi se si një trafikant njerëzish përdori Facebook për të fituar besimin e saj para se ta përdhunonte dhe postonte një foto të saj në Backpage.com duke e shitur atë tek të huajt për seks.

Viktima ka ngritur një proces gjyqësor kundër Facebook, duke akuzuar kompaninë se nuk ka ndërmarrë hapa kundër trafikantëve seksualë në platformën e saj. Një zëdhënës i Facebook tha për DailyMail.com se kompania po merr masa të forta për të penguar trafikimin seksual.

Në vitin 2012, ajo ishte vetëm 15 vjeçe dhe jetonte me nënën e saj në Teksas kur mori një kërkesë për miqësi nga dikush që mendonte se ishte në moshën e saj. Në realitet, personi në fjalë ishte një trafikant seksi i maskuar, duke përdorur një llogari të rremë.

Trafikanti e gënjeu atë përmes Facebook, i tha asaj se ishte e bukur dhe i ofroi t’i paguante 2,000 dollarë në javë për të punuar si modele. Sapo ajo pati një zënkë me të ëmën, trafikanti përfitoi, e mori nga shtëpia dhe e dërgoi në një hotel ku dhe e zhveshi, e përdhunoi, dhe më pas shpërndau fotografitë e saj në Backpage.com, i cili ishte atëherë tregu më i madh në internet i prostitucionit.

Pas disa orësh, vajza ishte në gjendje të fitonte akses në celular dhe thirri nënën e saj, e cila menjëherë lajmëroi policinë.

Trafikanti i seksit dhe një tjetër u arrestuan dhe më vonë u dënuan me shumë vite burg. Backpage.com u kap nga autoritetet federale në 2018 pasi një hetim zbuloi se ai ishte bërë një qendër e prostitucionit të paligjshëm, shpesh duke përfshirë të mitur.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit