25 vite nga Epopeja e UÇK-së, ushtarët e Kosovës formojnë imazhin e Adem Jasharit

25 vite nga Epopeja e UÇK-së, ushtarët…

Në vigjilje të Epopesë së UÇK-së dhe 5 Marsit- Ditës së Kazermës ” Adem Jashari”, 820 ushtarë të FSK-së, në poligonin e kazermës, realizuan portretin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, ideuar nga artisti ynë, piktori i njohur Besart Gashi dhe realizuar nga nënoficeri ynë, Vesel Raci.

Çdo fillim marsi për një çerek shekulli, shqiptarët shënojnë Epopenë e UÇK-së, në nder të familjes Jashari, e cila sakrifikoi gjithçka për lirinë e Kosovës.

Më 5 mars 1998, rreth orës 5:30 të mëngjesit, Adem dhe Hamzë Jashari bashkë me familje u rrethuan nga forcat serbe në shtëpinë e tyre në Prekaz. Ata po kërkoheshin nga policia serbe për shkak të disa aksioneve të armatosura që kishin ndërmarrë, si rebelim ndaj shtypjes të popullatës shqiptare nga regjimi jugosllav.

Qëndresa historike e familjes Jashari kundër aparatit shtetëror jugosllav zgjati tri ditë, më 5, 6 dhe 7 mars. Gjatë luftimeve triditore u shuan Adem dhe Hamzë Jashari bashkë me familje, përfshirë edhe disa fëmijë. Më e reja, Blerina, e bija e Hamzës ishte vetëm 7 vjeçe.

Masakra e familjes Jashari nxiti protesta masive në Kosovë dhe shënoi fillet e kryengritjes mbarëpopullore për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e dalë publikisht në skenë disa muaj më parë, aksionet sporadike i ktheu në rezistencë të organizuar dhe luftë frontale për çlirimin e Kosovës.

Luftimet zgjatën përgjatë vitit 1998 dhe 1999, ndërsa tentativat për marrëveshje paqësore të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët dështonin.

Gjatë kësaj kohe, Serbia kreu krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare, që nxiti ndërhyrjen e NATO-s kundër Jugosllavisë nga 24 marsi deri në qershor të vitit 1999. Lufta e Kosovës përfundoi me kapitullimin e Serbisë me marrëveshjen e Kumanovës më 9 qershor të vitit 1999.

Pas disa vitesh si protektorat ndërkombëtar, Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, ndërsa aktualisht po zhvillon bisedime për finalizimin e statusit të saj juridik dhe pranimin në organizatat ndërkombëtare. Mbi 100 vende, përfshirë ShBA-në, Britaninë e Madhe, Türkiyen, Gjermaninë, Francën dhe të tjera, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit