
Një sukses i madh për sportin shqiptar vjen nga bota e bodybuilding-ut! Bodybuilderi 25-vjeçar Shkëlqim Sabrija është shpallur Kampion Absolut në kategorinë Classic Physique në Kampionatin Europian të IFBB (International Fitness and Bodybuilding Federation), duke u bërë i pari shqiptar në histori që arrin këtë rezultat të jashtëzakonshëm.
Lajmi është bërë i ditur edhe nga vetë Sabrija në një postim në Instagram, ku shkruan:
“Faleminderit Allahut! Me mëshirën dhe udhëzimin e Tij, arrita të shpallem Kampion Absolut në Classic Physique në Kampionatin Europian të IFBB. Për herë të parë fitohet nga një Shqipëtar Over All i kësaj kategorie në Europian.”
Federata IFBB ka shpërndarë gjithashtu një video të tij me mesazhin:
“Shkëlqim Sabrija nga Shqipëria 🇦🇱 Kampion Absolut në Classic Physique – Kampionati Europian IFBB në Spanjë 🇪🇸. Urime!”
Pas më shumë se 10 vitesh stërvitje intensive, me një regjim strikt ushqimor dhe përkushtim të hekurt, Çimi, siç e njohin miqtë, ka arritur të lërë gjurmë në skenën ndërkombëtare. Rrugëtimi i tij nisi në vitin 2015, kur hyri për herë të parë në palestër për t’u bërë “i fortë”. Vetëm pas 6 muajsh garoi në Gjirokastër dhe u rendit i dyti.
Që prej atëherë nuk është ndalur: ka fituar titullin “Kampion absolut i Shqipërisë” në vitin 2024, më pas vendin e parë në Shkup, dhe në vitin 2023 u rendit i gjashti në Kampionatin Botëror në Spanjë.
Me profesion është instruktor dhe trajner personal, ndërsa gjithë ditën e kalon në palestër, ku ndihmon klientët të arrijnë objektivat e tyre. Ka përfunduar studimet për Ekonomi dhe vazhdon të punojë nga ora 7:30 e mëngjesit deri në orën 19:00.
“Sekreti i gjithë fitnesit është qëndrueshmëria. Nuk ka rëndësi ora, rëndësi ka të stërvitesh rregullisht dhe të ndjekësh një dietë të qëndrueshme,” është mesazhi i tij për të gjithë ata që duan të ndryshojnë jetën e tyre përmes palestrës.
Shkëlqimi jo vetëm që i ka sjellë lavdi vetes, por edhe ka ngritur flamurin shqiptar në një nga skenat më të rëndësishme të këtij sporti në Europë.