
Lufta e Kosovës përfundoi më 10 qershor 1999. Atë ditë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së në Nju Jork miratoi Rezolutën 1244, e cila i dha fund zyrtarisht luftimeve, të cilat kishin pushuar një ditë më parë, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike-Ushtarake në Kumanovë.
Dy muaj e gjysmë më parë, në mbrëmjen e 24 marsit 1999, NATO kishin filluar bombardimet e para të caqeve në Jugosllavi (e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi). Ishte ky misioni i parë luftarak i Aleancës së Mbrojtjes së Atlantikut të Veriut pa mandat të OKB-së dhe i pari me pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë. Ishte një shkelje e tabusë, për NATO-n për shkak të mungesës së një mandati të OKB-së dhe për publikun gjerman për shkak të përfshirjes së saj në një luftë.
Qëllimi i NATO-s ishte të detyronte ushtrinë jugosllave të tërhiqej nga Kosova për të parandaluar dëbimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve të Kosovës që jetonin atje.
Nëntë vjet më vonë, më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall e pavarur dhe tani njihet nga rreth 115 nga 192 shtetet anëtare të OKB-së, përfshirë edhe SHBA, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën… Por Rusia dhe Kina si dhe pesë vende të BE-së (Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia, Qipro) nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Serbia edhe sot e kësaj dite pretendon se Kosova është pjesë e saj dhe refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës.