Një tjetër sasi e konsiderueshme kokaine është zbuluar nga autoritetet greke në kuadër të hetimeve për rrjetin kriminal të lidhur me shqiptarin Lulzim Caka. Gjatë kontrolleve të kryera në një banesë pranë vilës ku Caka ishte arrestuar, u sekuestruan 26.8 kilogramë kokainë, së bashku me një thikë 21 centimetra dhe municione të kalibrave të ndryshëm.
Sipas hetimeve, droga ishte e paketuar në pllaka dhe dyshohet se ishte e destinuar për shpërndarje. Autoritetet kanë konstatuar se shenjat e identifikimit në paketimet e kokainës përputheshin me ato të sasive të sekuestruara gjatë operacionit të 9 shtatorit, duke forcuar dyshimet për lidhjen e saj me të njëjtin grup kriminal.
Zbulimi i kësaj sasie të re droge i shtohet sekuestrimeve të mëparshme dhe pritet të ndihmojë hetuesit në zbardhjen e mëtejshme të aktivitetit të rrjetit. Kontrollet kanë nxjerrë në pah edhe mënyra të sofistikuara të fshehjes së lëndëve narkotike dhe sendeve të paligjshme, ndërsa hetimet për rolin e personave të përfshirë vijojnë.