26 vite nga tragjedia e Otrantos/ Familjarët e viktimave: Nuk na thanë që po iknin, 23 viktima pa varr

26 vite nga tragjedia e Otrantos/ Familjarët…

Sot bëhen 26 vjet nga tragjedia e Otrantos ku 81 persona humbën jetën, 23 prej të cilëve nuk iu gjetën trupat kurrë. Anija ‘Kateri i Radës’ u nis në 28 mars të vitit 1997 nga Vlora në drejtim të Italisë me 115 persona në bord ndërsa tragjedia u regjistrua rreth orës 16:30 ne kanalin e Otrantos. Pasi anija shqiptare u përplas nga anija italiane ‘Sibila’.

Sot 26 familjarë të viktimave i kanë përkujtuar duke vendosur lule në varrezat ku prehen viktimat. Agim Aliaj ka humbur djalin e tij vetëm 17 vjeç në atë kohë. Ai tregon se djali nuk i tha që do të nisej drejt Italisë duke i lënë edhe një breng në zemër. Sot 26 vjet më vonë ata vijojnë të kërkojnë drejtësi, ndërsa tregojnë se nuk janë dëmshpërblyer plotësisht.  

  “Kam humbur djalin e vetëm. Dhimbja është brenda në shtëpi. Lajmin e kam marrë në shtëpi se isha i ndarë me gruan. Isha me djalin, vajzat jetonin me ish-bashkëshorten time. Djali më kishte lënë një shënim “baba do iki në Itali”. Ishte 17 vjeç. Dy ditë kishte që kishte kaluar ditëlindjen dhe iku.

Unë kam jetuar në Itali se ambasada na dha nga 1 vizë për ndihmë dhe kam pasur fatin që kam banuar në Lecce ku bëhej Apeli dhe në Brindisi bëhej gjyqi. Apeli dha 50% t’i paguajë komandanti, 50% Ministria. Ministria na i dha, komandanti s’ka. Këtu janë shpërbërë nga ana e sistemit se kur fillon revolucioni i stomakut, nuk mbahet. Edhe unë që marr pension simbolik jam në gjendje katastrofike”, tha Agim Aliaj.

Ndërsa , Tahire Mile momentet e fundit kur nipi u largua nga shtëpia për t’u nisur me anije drejt Italisë.  Ajo tha se për vdekjen e tij e mori vesh më vonë nga lajmet në televizor. Ndërsa shprehet se shumë persona të tjerë vuajnë nga dhimbja sepse nuk kanë as varrë për të afërmit që ishin në atë anije.    

Kam humbur djalin e vëllait, djalin e vetëm, 17 vjeç.  Më ka ikur nga shtëpia, më ka thënë do iki të punoj, binte shi shumë, unë i shkova nga mbrapa deri te fusha e sportit. Atje qëllonin me armë, ika u ktheva në shtëpi. Prit të vinte, nuk më erdhi.

Në 12 të natës, dëgjon djali me nusen televizorin që thoshte Aldi Aliaj u mbyt. Moti ishte me reshje e shi, kiamet. Kur më thanë është mbytur djali, kam ikur zbathur te vëllai, e pyeta ku është djali, tha nuk e di. Ai e dinte se kishte shkuar te xhaxhallarët e tij”, tha Tahire Mile.

Familjarët e kanë përkujtuar të ndarë këtë 26 vjetor të tragjedisë ndërsa nuk ka patur asnjë ceremoni përkujtimore.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit