28 Nëntori, shqiptarët nga veriu në jug dhe Diaspora drejt Tiranës për “Nëntorin e Tretë”

28 Nëntori, shqiptarët nga veriu në jug…

Pothuajse 6 muaj protesta të përditshme, një brez i ri që ka dalë në rrugë për të kërkuar ndryshim dhe tashmë një thirrje për bashkim në Ditën e Flamurit. Tirana po bëhet gati për protestën e 28 Nëntorit, të pagëzuar nga pjesëmarrësit si “Nëntori i Tretë”.

Lëvizja qytetare, e cila nisi më 31 maj dhe vijon prej gati gjashtë muajsh, ka kaluar nëpër një sërë momentesh të tensionuara. Fillimisht me protesta kryesisht paqësore, ajo mori një dimension të ri më 13 tetor, kur mijëra të rinj dhe studentë iu bashkuan lëvizjes, duke dalë në rrugë, bojkotuar auditorët dhe kërkuar ndryshim.

Përplasjet me policinë u përshkallëzuan, ndërsa protestuesit u përballën me gaz lotsjellës, ujë me presion, plumba gome dhe dhunë fizike nga forcat e rendit. Dhjetëra e më pas qindra të rinj u shoqëruan ose u arrestuan, ndërsa raportimet për dhunë policore dhe trajtimin e protestuesve në komisariate shtuan edhe më shumë zemërimin qytetar. Pavarësisht tensioneve, protestat dhe marshimet kanë vijuar, me pjesëmarrjen e të rinjve, studentëve dhe qytetarëve që kërkojnë largimin e kryeministrit dhe ndryshimin e klasës politike.

Për 28 Nëntorin, thirrja synon të bashkojë shqiptarët nga jugu në veri, qytetarët e Tiranës dhe bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit. Edhe diaspora po organizohet për t’u kthyer në atdhe dhe për t’iu bashkuar protestës, ndërsa është paralajmëruar edhe një marshim nga veriu drejt kryeqytetit.

Protestuesit e kanë lidhur këtë datë me simbolikën e Pavarësisë dhe Çlirimit, duke e cilësuar si një moment për të kërkuar një kapitull të ri për vendin. Mesazhi i tyre është kundër klasës politike 36-vjeçare, ndërsa kërkesa kryesore e lëvizjes mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Pas muajsh qëndrese në rrugë, me të rinj, studentë dhe qytetarë që kanë vijuar të protestojnë, 28 Nëntori synon të shndërrohet në një pikë të madhe bashkimi. Këtë herë, thirrja është që në Tiranë të dëgjohet zëri i shqiptarëve nga çdo cep i vendit dhe i atyre që vijnë nga diaspora.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit