Por pas përfundimit të aventurës, Bushby e pret një tjetër sfidë, rikthimi te familja dhe përshtatja me jetën e zakonshme. Në Hull do të takohet me djalin e tij 36-vjeçar, mbesën 12-vjeçare, të cilën nuk e ka takuar kurrë, si dhe me prindërit dhe vëllezërit. Në një intervistë për BBC, ai pranon se pas gati gjysmës së jetës kushtuar këtij misioni, do t’i duhet të zbulojë sërish identitetin dhe qëllimin e tij. Gjatë këtyre 28 viteve, vetëm rreth 15 i ka kaluar duke ecur, ndërsa pjesa tjetër është shpenzuar me procedura vizash, pengesa gjeopolitike dhe kufizime udhëtimi gjatë pandemisë.
Pavarësisht vështirësive dhe viteve të largësisë nga familja, aventurieri thotë se udhëtimi i ka forcuar besimin te njerëzit dhe te mirësia e tyre. Ai tregon se ndihma e të panjohurve në vende të ndryshme të botës ka qenë vendimtare për vazhdimin e misionit. Tashmë, teksa është pranë përfundimit të një prej udhëtimeve më të gjata në këmbë, Bushby u përcjell një mesazh të gjithë atyre që kanë ëndrra të mëdha: të kenë besim te vetja, të shfrytëzojnë mundësitë dhe të mos presin që gjërat të ndodhin vetë.