
Dhuna nga bashkëjetuesit vazhdon të jetë prezente në familjet shqiptare, ku shumë prej tyre kanë përfunduar edhe deri në humbje fatale të jetës.
E tillë ishte dhe ngjarja e paprecedentë e zhvilluar në mes të vendit tonë, ku 31-vjeçari Gleard Gusholli mbajti të mbyllur dhe dhunoi barbarisht për një javë bashkëjetuesen e tij 28-vjeçare.
Sipas dinamikës së zbardhur të ngjarjes, nisur nga plagët e rënda që kishte në trup ajo është transportuar me urgjencë për në Spitalin e Traumës. Aty mjekët kanë konststuar se ishte e goditur dhe e gjakosur në të gjithë trupin, duke urdhëruar që t’i nënshtrohej ndërhyrjeve kirurgjikale.
Në pranga përfunduan edhe 4 shtetas të tjerë që nuk kallëzuan krimin, përkrahën autorin e krimit dhe kryen veprime për të penguar zbulimin e së vërtetës.
Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete që përdoren për konsumimin e lëndëve narkotike, mbetje të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën në banesën e 31-vjeçarit, si dhe sende të forta me të cilat dyshohet se ai ka dhunuar 28-vjeçaren.