Një 29-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi ka keqtrajtuar bashkëshorten e tij 27-vjeçe.
B., ra në pranga pasi akuzohet se në mënyrë sistematike ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, duke e përndjekur dhe madje i kishte shpërndarë një video të saj intime në rrjetet sociale.
Për këtë arsye e reja ishte larguar te prindërit e saj në Kosovë. Autori i ngjarjes rezulton të jetë dhe përdorues i lëndëve narkotike, pasi gjatë kontrollit që uniformat blu kanë ushtruar në banesë i është gjetur një sasi e vogël me lëndë narkotike cannabis sativa.
Ngjarja është e përsëritur, pasi disa ditë më parë një 27-vjeçare Sibela Abedini i dha fund jetës në Kamëz, pas publikimit në rrjetet sociale të një fotoje të saj intime nga personazhi i Tik-Tok Altin Çoku i cili tashmë është i arrestuar.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, pas denoncimit nga një shtetase 27 vjeçe se bashkëshorti i saj kishte ushtruar sistematikisht dhunë fizike dhe psikologjike dhe për këtë arsye kjo shtetase ishte larguar tek prindërit në Kosovë, organizuan punën për kapjen e tij.
Shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. B., 29 vjeç, banues në Fier. Ky shtetas, në mënyrë sistematike, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, e përndiqte dhe i kishte shpërndarë një video intime të saj, në rrjetet sociale.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi, u gjet dhe u sekuestrua një sasi e vogël lende e dyshuar narkotike cannabis sativa”, njoftoi policia.