Familja e Gentian Manatit, e prekur nga një tragjedi e rëndë në Jacksonville të Floridës, ku humbën jetën tre fëmijët e saj pas një zjarri në banesë, është me origjinë nga Lushnja.
Manatët kanë jetuar prej vitesh në lagjen “18 Tetori”, përpara se të largoheshin drejt Shteteve të Bashkuara përmes lotarisë amerikane.
Fillimisht emigrantë në SHBA u bënë Gentian Manati dhe bashkëshortja e tij, ndërsa më vonë familjes iu bashkuan edhe prindërit e Gentianit, Njaziu dhe Alia.
Ngjarja e rëndë ka shkaktuar dhimbje edhe në Lushnjë, ku vijojnë të jetojnë dy motrat e Gentian Manatit. Pas marrjes së vizave, ato janë nisur mëngjesin e sotëm drejt Shteteve të Bashkuara për të qenë pranë familjarëve në këto momente të vështira.
Në lagjen “18 Tetori”, banorët që e kanë njohur familjen ndër vite janë shprehur të tronditur nga lajmi.
“Nuk ka fatkeqësi më të madhe në jetë, të rritësh tre fëmijë me sakrificë”, ka treguar një prej fqinjëve, duke shprehur dhimbjen për familjen.
“U tronditëm kur e morëm vesh”, është shprehur një tjetër banor i lagjes.
Tre fëmijët e familjes Manati humbën jetën mëngjesin e 26 gushtit, pasi një zjarr përfshiu banesën dykatëshe ku ndodheshin në Jacksonville.
Sipas informacioneve paraprake, në momentin kur zjarrfikësit mbërritën në adresë, flakët kishin përfshirë katin e parë, ndërsa kati i dytë ishte mbuluar nga tymi. Tre fëmijët u gjetën pa shenja jete, ndërsa dy të rritur dhe dy fëmijë të tjerë mundën të largoheshin nga banesa.
Ende nuk është përcaktuar shkaku i zjarrit. Autoritetet amerikane po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat që çuan në tragjedinë e rëndë.