3 vite nga rrënimi i historisë/ Shqipëria feston Ditën Botërore të Teatrit, pa teatër

3 vite nga rrënimi i historisë/ Shqipëria…

Çdo 27 mars e gjithë bota feston ditën kushtuar teatrit, institucionit më të rendësishëm kulturor. Çdo vend europian ruan historinë, nostalgjinë, emocionet dhe kulturën, me godinat e hershme e të lashta të teatrove. Vetëm në Shqipëri godina të tilla historike shihen me përçmim dhe u vihet eskavatori natën. Prej më afro tre vitesh, Shqipëria feston Ditën Botërore të Teatrit, por pa teatër. Godina e Teatrit Kombëtar u shemb në orët e para të mëngjesit të 17 majit të vitit 2020.

Toka e teatrit u lakmua nga biznesmeni Shkëlqim Fusha i cili dërgoi një projektligj që mbante emrin e tij në Parlament. Asokohe biznesmeni e cilësonte tokën e Tetarit Kombëtar si gjerdani i fundit i mbetur pa zbukuruar me ndërtimet shumë katshe në qendër të Tiranës. Projekti përfshinte marrjen e truallit dhe shfrytëzimit të tij për afro 6-8 kulla shumë katshe. Në këmbim, Fusha do të ndërtonte një teatër të ri, mbi rrënojat e të vjetrit, e i rrethuar nga kullat gjigante.

U bë çmos që teatri të shembet dhe sot mbi truallin e tij është bërë gati hapja e gropës dhe nisja e ndërtimeve. Politika edhe njëherë arriti të shemb çdo gjë, përfshirë edhe historinë, kulturën dhe trashëgimin kombëtare. Çdo përpjekje u bë për të betonizuar të vetme pëllëmbë tokë të mbetur pa prekur, me qëllim për të pasuruar një grusht njerëzish.

Sot Shqipëria nuk ka çfarë të festojë, pasi teatri është rrafshuar, bashkë me kulturën e një populli që ka rritur shumë breza aktorësh në sallat e tij.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit