Prej 30 ditësh, në Tiranë vijojnë protestat e qytetarëve shqiptarë, të cilat nisën pas një incidenti në zonën e Zvërnecit, ku një protestues që mbronte tokat u mor zvarrë nga policë privatë, ndërsa policia e shtetit nuk ndërhyri. Ky moment u bë shkëndija e një reagimi më të gjerë qytetar, që u shndërrua në protesta masive në kryeqytet dhe diasporë.
Me kalimin e ditëve, protesta nuk është kufizuar vetëm te mbrojtja e zonës së Zvërnecit dhe çështja e flamingove, por është zgjeruar duke artikuluar një sërë problematikash të vendit, përfshirë çështjen e pronave, ligjet për truallin, si dhe pakënaqësi ndaj klasës politike në 36 vitet e tranzicionit. Protestuesit kërkojnë ndryshime të thella politike, përfshirë largimin e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, largimin e opozitës me në krye Sali Berishën, si dhe të partive politike të vogla që thjesht ngrohin karriget e Parlamentit.
Pas 30 ditësh protestash, lindin pyetjet, çfarë realisht kanë sjellë këto protesta deri tani dhe a mund të prodhojnë ato ndryshime konkrete në kërkesat e qytetarëve? A është e mjaftueshme presioni publik vetëm me fjalime për të ndikuar vendimmarrjen politike, apo kërkohet një strategji tjetër organizimi dhe përfaqësimi? Dhe mbi të gjitha, a do të arrijnë shqiptarët përmes këtyre protestave të imponojnë ndryshimet që kërkojnë, apo do të mbeten thjesht një reagim i përsëritur pa rezultat të prekshëm?
Pas 30 ditësh protestash, një gjë është e qartë, kriza e besimit mes qytetarëve dhe politikës është në pikën më të lartë, dhe kërkesa për ndryshim është bërë e pashmangshme në diskursin publik. Në këtë klimë tensioni, mbetet gjithashtu një pyetje e hapur për drejtuesit politikë, a do të reflektojnë Edi Rama dhe Sali Berisha dhe të gjithë partitë e vogla mbi kërkesat e qytetarëve dhe përgjegjësitë e tyre dhe të largohen nga skena politike për t’u hapur rrugë të rinjve?