
1 Maji ‘Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve’ i gjen punëtorët shqiptarë në kushte të vështira dhe shpesh të pasigurta pune.
Sipas një raporti nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, vetëm përgjatë vitit 2023 janë regjistruar 168 aksidente në punë, ku 30 raste kanë rezultuar me pasoja fatale deri në humbjen e jetës. Shumë punëtorë përballen edhe me padrejtësi të tjera nga punëdhënësit e tyre si puna në të zezë dhe pa sigurime, mungesa e kushteve të punës dhe moslidhja e kontratave të rregullta.
Shpesh oraret e zgjatura ose puna në ditët e festave zyrtare nuk paguhen, ose pagesat vonohen. Por duke parë gjithë këto padrejtësi, punëtorët nuk kanë ndenjur duarkryq pasi kanë depozituar me qindra ankesa për vendet ku punojnë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Punës, punëtorët ngrihen në protesta për të kërkuar te drejtat e tyre, kushte më të mira pune dhe paga të denja.