318 tonë pluhur toksik të Albchrome rrezikuan banorët e Elbasanit

318 tonë pluhur toksik të Albchrome rrezikuan…

Një tjetër skandal mjedisor trondit Elbasanin, ku uzina e ferrokromit e kompanisë Albchrome, në pronësi të grupit turk Yildirim, është vënë në qendër të akuzave për keqmenaxhimin e mbetjeve industriale. Gjatë një ndërhyrjeje pas dy vatrave të zjarrit pranë uzinës, inspektorët e mjedisit zbuluan 318 tonë pluhur toksik, të depozituar prej muajsh në thasë në ambient të hapur, pa kontratë për trajtimin apo asgjësimin e sigurt të tij.

Skandali merr përmasa edhe më të rënda, pasi në maj të vitit 2024, kryeministri Edi Rama përuroi me bujë një sistem të ri filtrimi, me vlerë 2 milionë euro, të cilin e cilësoi si investim të rëndësishëm për komunitetin dhe mjedisin. Por procesi i filtrimit prodhon mbetje industriale që kërkojnë trajtim të posaçëm, ndërsa depozitimi i tyre pa masa të përshtatshme ngre pikëpyetje serioze mbi përgjegjësinë e kompanisë dhe efektivitetin e kontrollit shtetëror.

Albchrome është gjobitur me 200 mijë dollarë nga Agjencia e Mjedisit, ndërsa uzina është mbyllur përkohësisht. Megjithatë, mbetjet toksike vijojnë të jenë të patrajtuara, duke shtuar shqetësimin për rreziqet ndaj shëndetit të qytetarëve dhe ndotjen e mjedisit. Banorët e Elbasanit presin jo vetëm masa ndëshkuese, por edhe largimin e sigurt të mbetjeve dhe transparencë mbi përgjegjësitë për këtë situatë alarmante.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit