Janë zbardhur rrethanat e aksidentit fatal të ndodhur pranë fshatit Pojskë, në aksin rrugor Pogradec–Qafë Thanë, ku humbi jetën 32-vjeçari Amarildo Islamaj, me origjinë nga Vlora. Sipas hetimeve paraprake, i riu dyshohet se kishte vjedhur automjetin me të cilin më pas u përfshi në aksident.
Burime policore bëjnë me dije se mjeti ishte marrë në fshatin Lëneshnicë, pasi çelësat ishin lënë brenda tij. Pas vjedhjes, 32-vjeçari është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit Pogradec–Qafë Thanë, por pak minuta më vonë ka humbur kontrollin duke u përfshirë në aksident.
Përplasja ka rezultuar fatale për të riun, i cili ka pësuar dëmtime të rënda dhe nuk ka mundur të mbijetojë pavarësisht ndërhyrjes mjekësore. Policia ka marrë në pyetje edhe pronarin e automjetit, i cili kishte denoncuar më herët vjedhjen, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.