Gjendja financiare e shumë familjeve në Kosovë mbetet shqetësuese, ndërsa rritja e çmimeve dhe e kredive po rëndon buxhetin familjar.
Sipas raportit “Securimeter 2026”, 37% e të anketuarve në Kosovë deklarojnë se familjet e tyre nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 1 mijë eurosh pa marrë borxh apo pa kërkuar ndihmë financiare nga të tjerët.
Situata në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor paraqitet kështu:
* Shqipëri – 46%
* Maqedoni e Veriut – 41%
* Kosovë – 37%
* Serbi – 31%
* Bosnjë dhe Hercegovinë – 30%
* Mali i Zi – 29%
Ndërkohë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, kreditë e ekonomive familjare janë rritur nga 1.315 miliardë euro në janar të vitit 2021 në 3.546 miliardë euro në shtator të vitit 2026.
Kjo përbën një rritje prej 169.6%, apo mbi 2.2 miliardë euro brenda më pak se gjashtë vitesh.
Krahas rritjes së kredive, qytetarët po përballen edhe me inflacionin e lartë, i cili në shtator arriti në 7.8%, ndërsa në tetor në 7.1%.
Shifrat pasqyrojnë pasigurinë financiare të shumë familjeve kosovare, për të cilat një shpenzim i papritur mund të nënkuptojë futjen në borxhe.
Po ju, a do të mund ta përballonit sot një shpenzim të papritur prej 1 mijë eurosh?