Durrësi menjëherë pas Tiranës, qyteti renditet i dyti në vend për...

Durrësi menjëherë pas Tiranës, qyteti renditet i…

Tirana është jo vetëm qyteti me popullsinë më të madhe por edhe qarku që ka dendësinë e popullsisë më të lartë.

Por menjëherë pas saj renditet Durrësi, i cili për vitin 2020 ka zënë vendin e dytë si qarku më i madh në vend, duke ia kaluar në këtë mënyrë edhe Fierit.

Ky i fundit deri në vitin 2019 konsiderohej si qarku që ishte menjëherë pas kryeqytetit, sa i takonte numrit të popullsisë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, Durrësi kishte 290.7 mijë banorë, me rritje të lehtë prej 0.2%, duke ia kaluar për herë të parë Fierit.

Ky i fundit zbriti në 289.9 mijë banorë, pasi popullsia e tij ra me rreth 1.7%.

Në fakt, Fieri, së bashku me Elbasanin, rezultojnë qarqet që kanë pasur reduktimet më të mëdha të popullsisë, që nga viti 2001, kur INSTAT raporton të dhënat e para.

Të dy këto qarqe kanë humbur nga rreth 92 mijë banorë në dy dekadat e fundit.

Me zvogëlim në dy dekadat e fundit, rezultojnë dhe të gjitha qarqet e tjera, Kukësi, Lezha, Gjirokastra, Shkodra, Korça, Berati.

Në raport me popullsinë përkatëse, qarku që është reduktuar më shumë është Gjirokastra, që pothuajse është përgjysmuar.

Në Gjirokastër në 2020-ën, jetonin 59 mijë banorë, nga rreth 113 mijë në vitin 2001.

Kjo ka bërë që ky qark, të jetë sot më i vogli në vend, ndërsa në vitin 2001, ishte Kukësi me më pak banorë.

Dibra, është një tjetër qark që ka humbur gati 40% të popullsisë në dy dekada, duke zbritur në 116 mijë banorë.

Berati është reduktuar me -37% në krahasim me vitin 2001, Kukësi me -32%, Shkodra me -22%, Korça me -23%, Elbasani me -25%, Fieri me -24%.

Pothuajse e pandryshuar, me një rënie të lehtë prej 2% ka mbetur popullsia e Vlorës.

Rritja e fortë e Tiranës dhe më pak e Durrësit

Tirana dhe më pak Durrësi, rezultojnë të vetmet qarqe që kanë njohur rritje të popullsisë në dy dekadat e fundit, pasi kanë përfituar nga migrimi i brendshëm i popullsisë.

Teksa të gjithë duan të jetojnë e punojnë në kryeqytet, popullsia e saj është rritur me 52% në dy dekadat e fundit, duke arritur në 906 mijë banorë, nga 597 mijë në vitin 2001.

Edhe Durrësi është zgjeruar me 19%, duke u bërë në këtë mënyrë qyteti i dytë më i madh në vend, nga i katërti që ishte në vitin 2001, pas Tiranës, Fierit e Elbasanit.

Rritja e Tiranës dhe Durrësit nuk kanë arritur të kompensojnë tkurrjen e qarqeve të tjera.

Si rrjedhojë, popullsia e Shqipërisë është reduktuar me 217 mijë persona në dy dekadat e fundit, ose me madhësinë e një qarku sa Korça.

Në 2020, Shqipëria vlerësohet se ka rreth 2.84 milionë banorë.

Gjithsesi, do të jetë censi, që aktualisht u shty për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, i cili do të japë një panoramë të saktë të popullsisë që ka mbetur në vend.

Emigracioni dhe rënia e lindshmërisë, janë faktorët që kanë ndikuar në tkurrjen e popullsisë gjatë dekadave të fundit.

/Burimi: Monitor.al/ Përshtati: Gazetaatdheu.com/

 

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit