4 ekipe shqiptare në Europa League, UEFA pasuron klubet. Ja sa miliona euro kanë përfituar në total

4 ekipe shqiptare në Europa League, UEFA…

Për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar do të marrin pjesë 4 skuadra në Europa League. Tirana,Kukësi,Laçi dhe Teuta janë ekipet që do të përfaqësojnë Shqipërinë në arenën europiane.

Përveç përfaqësimit dhe krenarisë sjell më shumë se kaq: miliona euro. Kukësi, Teuta dhe Laçi kanë arkëtuar deri më sot vetëm nga UEFA 1.5 milionë euro. Me pjesëmarrjen dhe kalimin e turit të parë, secila ka marrë nga 500 mijë euro.

Nëse kurbinasit patën disa shpenzime më shumë prej udhëtimit apo akomodimit në Azerbajxhan, kuksianëve dhe durrsakëve iu evitua kjo lloj kostoje. Ata luajtën në shtëpi dhe dashur pa dashur, ky quhet kursim.

Nuk duhet të harrojmë Tiranën, e cila ka grumbulluar tashmë 1.2 milionë euro nga kompeticionet europiane. Veç shpërblimit prej 260 mijë eurosh që mori si kampione nga UEFA, iu shtuan 660 mijë euro nga pjesëmarrja në turin e parë dhe të dytë të Champions-it.

Vërtet u eliminúan, por fituan të drejtën që të luajnë edhe në turin e tretë të Ligës së Europës, që përkthehet edhe në 280 mijë euro të tjera.

Për të mos harruar që FSHF mori nga UEFA  4.3 milionë euro, para që do përdoren për shpenzimet e vetë institucionit, kombëtaret dhe projekte infrastrukturore. Në total të ardhurat shkojnë në 7 milionë euro.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit