4 shitblerje në vitin e pandemisë, Autoriteti i Konkurrencës: Nga shitja e TIA tek tregu i telekomunikacionit

4 shitblerje në vitin e pandemisë, Autoriteti…

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se në vitin 2020 autorizoi vetëm katër shit-blerje kompanish në vend të cilat i përkisnin tregjeve të ndryshme.

Në raportin vjetor Konkurrenca nënvizon se tregu më aktiv në këtë drejtim ishte ai në fushën e telekomunikacionit ku së pari në shkurt 2020 u autorizua blerja e aksioneve të kompanisë ABCOM nga kompania Vodafone. Për të parë ndryshimet që do të japë ky transaksion në tregun e përgjithshëm, autoriteti njofton se përgjatë vitit 2021 veprimtaria e Vodafone sh.a do të jetë objekt monitorimi.

Nga ana tjetër po në tregun e telekomunikacionit, raporti i AK bën me dije se autorizoi në 28 dhjetor 2020 përqendrimin mes shoqërisë AP Net sh.p.k nga shoqëria ABcom sh.p.k. “Tregu përkatës në këtë transaksion u konsiderua tregu i transmetimeve televizive. Ky transaksion nuk shfaq shenja të kufizimit të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij në veçanti si rezultat i krijimit ose forcimit të pozitës dominuese” thuhet në dokument.

Një tjetër treg që pati shit-blerje të paktën me një rast ishte ai financiar. Bëhet fjalë për përfitim kontrolli të Regjistrit Shqiptar të Titujve ALREG sh.a nga Shoqëria Banka Credins sh.a. Me një vendim autorizimi të datës 6 prill 2020 “Mbi autorizimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet blerjes së 5 për qind të aksioneve të shoqërisë Regjistri Shqiptar i titujve ALREG SHA nga shoqëria Banka Credins sh.a vendosi të autorizojë përqendrimin e njoftuar. Tregu përkatës në këtë transaksion u konsiderua tregu i titujve. Ky transaksion nuk shfaqi shenja kufizimi të konkurrencës në treg ose në ndonjë pjesë të tij në veçanti” nënvizon raporti.

Tregu i tretë ku pati një transaksion ishte ai i infrastrukturës dhe shërbimeve të transportit ajror. Bëhet fjalë për shitjen e Tirana International Airport tek Kastrati Group për një vlerë 71 milionë euro. Autorizimi për këtë transaksion u dha në 9 dhjetor 2020 .Në lidhje me këtë transaksion AK bëri me dije se do të monitorojë sjelljen e ndërmarrjes në treg për një periudhë 1 vjeçare.

Marrë nga Monitor

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit