44 ditë në Uzinë/ Gratë naftëtare dalin nga greva, negociata me Ramën për kërkesat e tyre

44 ditë në Uzinë/ Gratë naftëtare dalin…

Pas 26 ditësh në Uzinën e Ballshit, gratë naftëtare kanë marrë vendimin që të dalin nga greva dhe po ditën e sotme në orën 18:00, të zhvillojnë një takim me kryeministrin Rama për të negociuar kërkesat e tyre.

Naftëtarët prej kaq ditësh i kanë bërë apel qeverisë për plotësimin e kërkesave të tyre legjitime, të rifillimit të punës dhe të marrjes së pagave.

Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, Sokol Dautaj, ka bërë me dije se është arritur kompromisi për tu takuar me kryeministrin Rama.

Ky i fundit dha fjalën se do të negocionte me naftëtarët vetëm kur ata të dilnin nga greva, pasi sipas Ramës, ultimatume dhe presione qeverisë nuk mund t’i bëhet.

Kujtojmë se përpara grave naftëtare, edhe burrat e tyre qëndruan mbi 18 ditë në grevë urie në ambientet e zaptuara të Uzinës. Pasi dolën ata, vendin e tyre zunë gratë naftëtare.

Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, Dautaj, ka theksuar se naftëtarët besojnë  te kryeministri Rama dhe se në rast zhgënjimi, do të ketë hapa të tjerë dhe masa të tjera nga ana e naftëtarëve.

“Sakrifikuam 26 ditë për të drejtën tonë. Momenti që ne të dalim nga greva për një fitore të re.

Do shkojmë për negociata me kryeministrin Rama. Në orën 18:00 do të kemi takim me kryeministrin, pasi u arrit kompromisi për takimin.

Ne kërkojmë një zgjidhje, besojmë te Rama. Po u zhgënjyem do të ketë më pas edhe hapa të tjerë.

Kryeministri Rama do të jetë në takim me naftëtarët, pasi takimi do të mbahet në Fier”, ka thënë Dautaj.

Kujtojmë se ditën e djeshme, dje kryeministri ka shkruar se naftëtarët kanë vendosur të mbyllin grevën.

“Lajm shumë i mirë mbyllja e grevës në Ballsh! Më vjen keq për kaq shumë ditë mundim të panevojshëm, përderisa jo vetëm kemi qenë plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit tuaj, po edhe të gatshëm ta qajmë hallin së bashku! Tani caktoni përfaqësinë dhe nesër do të jem vetë aty me ju”, ka shkruar Rama ditën e djeshme.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit