46 të vdekur për shkak të zjarreve në Kili

46 të vdekur për shkak të zjarreve…

Të paktën 46 njerëz kanë vdekur si pasojë e zjarreve të përhapura në një pjesë shumë të banuar në Kilin qendror. Presidenti i Kilit Gabriel Boric dhe zyrtarët Kilianë kanë deklaruar se mbi 1 mijë shtëpi janë shkatërruar nga zjarret.

Duke folur për televizionin publik Presidenti Kilian Gabriel Boric paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të rritet për shkak të përhapjes së katër zjarreve në rajonin Valparaiso ku zjarrfikësit kanë vështirësi të arrijnë në lagjet më të rrezikuara. Gabriel Boric i ka bërë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me ekipet e shpëtimit.

Nëse ju kërkohet të evakuoheni, mos ngurroni. Zjarret po përhapen me shpejtësi dhe kushtet klimatike mund ta bëjnë të vështirë shuarjen e tyre. Temperaturat janë të larta, erërat të forta, ndërsa lagështia e ulët.” – ka deklaruar Boric për televizionin publik.

Ministrja e Brendshme e Kilit, Carolina Toha deklaroi se 92 zjarre pyjore janë duke u djegur në pjesët qendrore dhe jugore të vendit ku temperaturat janë ngritur në mënyrë të pazakontë këtë javë.

Tre qendra për strehim janë vendosur në rajonin e Valparaisos dhe u sollën 19 helikopterë dhe më shumë se 450 zjarrfikës për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit.” – ka deklaruar Carolina Toha.

Fenomeni natyror i klimës El Ninjo ka shkaktuar thatësira dhe temperatura më të nxehta se zakonisht përgjatë pjesës perëndimore të Amerikës Jugore këtë vit duke e rritur rrezikun për zjarre pyjore.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit