
Policia e Shtetit ka sekuestruar dy apartamente dhe një makinë, të cilat janë në pronësi të një 46-vjeçari, që akuzohet si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal me aktivitet në fushën e narkotikëve.
“Specialistët e Njësisë “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DPPSH, në kuadër të një procedimi pasuror, të iniciuar me qëllim gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtari të ndryshme kriminale, kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila ka vendosur sekuestrimin e pasurive të shtetasit F. P., 46 vjeç, banues në fshatin Ungrej, Lezhë”, njofton policia.
Bëhet e ditur se 46-vjeçari është në hetim për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Ndërkohë është duke vijuar puna për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që kanë burim veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi.