Një 49-vjeçare me origjinë filipineze ka ndërruar jetë në spital, pasi është ndjerë keq pak pas mbërritjes në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas. Sipas Policisë, gruaja kishte mbërritur në Shqipëri më 4 shtator dhe, pasi shfaqi probleme shëndetësore në aeroport, mori ndihmën e parë nga stafi mjekësor.
Pas ndihmës së parë, 49-vjeçarja u transportua me autoambulancë drejt Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT), ku iu dha ndihmë më e specializuar. Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, ajo ndërroi jetë më 5 shtator. Shkaqet dhe rrethanat e vdekjes mbeten ende të paqarta.
Policia ka nisur veprimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rastit. Autoritetet po punojnë për të përcaktuar rrethanat në të cilat 49-vjeçarja humbi jetën, ndërsa pritet që hetimet dhe dokumentacioni mjekësor të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.