Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar mungesën e ujit prej rreth 5 ditësh në kompleksin “Mangalem”, në zonën e Ali Demit, në Tiranë.
Sipas denoncimit, banorët po përballen prej ditësh me mungesën e furnizimit me ujë, ndërkohë që vijojnë të paguajnë rregullisht qiranë dhe faturat e detyrimet për ujë, energji elektrike dhe taksa.
Qytetari shprehet se, pavarësisht telefonatave dhe ankesave të vazhdueshme, përgjigjja që marrin nga pronarët është se ka probleme, pa u dhënë një zgjidhje konkrete për situatën.
“Paguajmë qiranë, taksat, ujin dhe dritat, por prej rreth një jave jemi pa ujë. I telefonojmë pronarët dhe na thonë se kemi probleme. A ka mundësi të bëhet publike kjo situatë? Nuk i merr askush parasysh ankesat tona”, shprehet qytetari.
Banorët kërkojnë ndërhyrje dhe një zgjidhje sa më të shpejtë, pasi mungesa e ujit prej disa ditësh po ua vështirëson ndjeshëm jetesën.
Ata u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masa dhe të sqarojnë arsyet e ndërprerjes së furnizimit me ujë në këtë kompleks.