Qeveria e Edi Ramës pritet të prezantojë një paketë masash për ndëshkimin e personave të përfshirë në protesta të dhunshme, ku parashikohet krijimi i një regjistri të posaçëm për protestuesit e identifikuar, si dhe hartimi i një liste të zezë në sistemin TIMS. Sipas propozimeve të bëra publike, synohet edhe bashkëpunimi me vendet e Bashkimit Europian për kufizimin e hyrjes së personave të identifikuar si të dhunshëm, si dhe kufizime në aksesin në hotele, trena dhe mjete të tjera transporti.
Masat e paralajmëruara shtrihen edhe te familjet dhe institucionet arsimore. Prindërit mund të detyrohen të paguajnë dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre të mitur, ndërsa qeveria po shqyrton kufizimin e shërbimeve shtetërore për familjet e të miturve që shkatërrojnë pronën e të tjerëve. Në arsim, parashikohet heqja e bursave dhe mbështetjes financiare për studentët e përfshirë në akte dhune, masa administrative për nxënësit që braktisin mësimin për protesta të dhunshme dhe largimi nga sistemi arsimor i mësuesve që nxisin akte të tilla. Po shqyrtohet gjithashtu ulja e moshës së përgjegjësisë penale, aktualisht 14 vjeç.
Një tjetër pikë e paketës lidhet me teknologjinë dhe kontrollin e aktivitetit në hapësirën publike e digjitale. Rama ka paralajmëruar investime për identifikimin e protestuesve me fytyrë të mbuluar dhe për zbulimin e profileve anonime në rrjetet sociale që, sipas tij, nxisin dhunë. Qeveria po shqyrton gjithashtu ndalimin me ligj të pjesëmarrjes në protesta me fytyrë të mbuluar dhe kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.