Vendi ynë është duke u përballur me fenomenin fatkeq të moshimit të popullsisë, duke përjetuar një periudhë të vështirë tranzicioni demografik.
Vetëm gjatë dekadës së fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e numrit të të moshuarve, teksa numri i fëmijëve ka pësuar ulje kjo ndikuar edhe nga lindshmëria e paktë.
Emigrimi masiv është një ndër faktorët që ka dhënë shumë kontribut në reduktimin e moshës së re në vend. Kjo ka ndikuar edhe në zvogëlimin e madhësisë mesatare të familjes, nga 3.9 anëtarë në censin 2011, në 3.2 anëtarë në censin 2023.
Por këto ndryshime kanë reflektuar dhe në raportin e varfërisë, dhe më dukshëm te moshat e treta. Raporti i varfërisë thuajse është dyfishuar gjatë dekadës së fundit, duke kapur shifrën 30.4% në vitin 2023, nga 16.7% në vitin 2011.
Në Shqipëri jetojnë 364 persona mbi 100-vjeçarë, mes tyre 63 janë burra dhe 301 janë gra. Ky fakt tregon për jetëgjatësinë e grave karshi burrave në vendin tonë.
Shpesh të moshuarit jetojnë vetëm në pamjaftueshmëri financiare, që ndikon në pasjen e një jetese të izoluar. Më shumë se 64 mijë të moshuar në Shqipëri jetojnë vetëm, për shkak të braktisjes nga fëmijët që janë larguar në emigrim.