U arratis kur do i merrnin shenjat e gishtave, zbardhen detaje të reja nga ikja e 30-vjeçarit

U arratis kur do i merrnin shenjat…

Rilian Lala, i arrestuar nga Policia e Tiranës për “Armëmbajtje pa leje”, u arratis mëngjesin e sotëm nga ambientet e Komisariatit nr.1 në kryeqytet. I riu do të dilte para Gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.

Mësohet se Lala i ka ikur Policisë në momentin kur do t’i merreshin shenjat e gishtave. I shoqëruar vetëm nga një polic, Rilian Lala ka pritur derisa i janë hequr prangat dhe ia ka “mbathur” nga Komisariati nr.1 në Tiranë, jo shumë larg vendit ku u arrestua.

30 vjeçari u arrestua dy ditë më parë, më datë 2 janar nga forcat Shigjeta te “Ali Demi”, pasi lëvizte me pistoletë me vete. Policia menjëherë pas marrjes së informacioneve se një person qarkullonte me armë zjarri me vete, është nisur drejt “Ali Demit”.

Aty efektivët e Shigjetave kanë parë të riun Rilian Lala, i cili ka hedhur në tokë pistoletën që mbante me vete dhe “ia ka futur vrapit”. Në ndjekje e sipër, ai është arrestuar dhe është dërguar në Komisariatin nr.1 në Tiranë.

Mirëpo, sot 30 vjeçari ka mundur t’i ikë Policisë pasi në vend që të shoqërohej nga dy efektivë, është shoqëruar vetëm nga një. Gjykata ka dhënë për të masën e sigurisë “Arrest me burg”, në mungesë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit