Një udhëtim turistik i nxënësve të gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës drejt Malit të Zi është shoqëruar me një incident, pas të cilit një autobus dhe një furgon me nxënës janë ndaluar nga policia në qytetin e Kotorit.
Sipas informacioneve të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, në këto mjete udhëtonin nxënës të mitur dhe mësues shoqërues, të cilët janë mbajtur për disa orë në ambientet e policisë. Fillimisht, familjarëve nuk u ishte bërë e ditur arsyeja e ndalimit, ndërsa ata kishin kërkuar ndihmën e Ambasadës Shqiptare në Mal të Zi dhe të institucioneve arsimore në Durrës.
Më vonë, në redaksi mbërriti një tjetër informacion, sipas të cilit ndalimi dyshohet se lidhet me një incident ku janë përfshirë disa prej nxënësve. Sipas këtij pretendimi, tre prej tyre kanë bërë shqiponjën me duar, ndërsa një nxënës tjetër dyshohet se është përfshirë në një përplasje me një grua malazeze, e cila më pas ka njoftuar policinë.
Nga informacionet e fundit që disponon JOQ Albania, pjesa më e madhe e grupit është larguar nga komisariati dhe është nisur drejt hotelit, ndërsa katër nxënës dhe një mësuese raportohet se vijojnë të jenë në ambientet e policisë në Kotor.
Deri më tani nuk kemi një konfirmim zyrtar për rrethanat e incidentit dhe arsyen e saktë të ndalimit të grupit. JOQ Albania kërkon reagim nga Ambasada Shqiptare në Mal të Zi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, autoritetet policore malazeze dhe Drejtoria Arsimore në Durrës, për të sqaruar çfarë ka ndodhur dhe përse nxënësit e mitur janë mbajtur për kaq shumë orë.