Një 56-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka kërcënuar kushëririn e tij në fshatin Gërdec të Vorës, duke i lënë në portën e banesës një fishek arme zjarri dhe një letër me përmbajtje kërcënuese. Sipas policisë, autori i dyshuar i ka kërkuar të afërmit shumën prej 300 mijë eurosh, duke e paralajmëruar se do të vriste atë dhe familjarët e tij nëse kërkesa nuk plotësohej.
Në polici ka bërë kallëzim shtetasi E. M., i cili ka deklaruar se kishte gjetur në portën e banesës fishekun dhe letrën kërcënuese. Pas denoncimit, uniformat blu kanë identifikuar dhe arrestuar A. M., 56 vjeç, banues në Vorë, i dyshuar për përfshirjen në ngjarje. Gjatë kontrollit të banesës së tij, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar municion luftarak, veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, si dhe një aparat celular.
Ndaj 56-vjeçarit rëndojnë veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe mënyrën se si është kryer kërcënimi ndaj familjarit.